Një ditë pasi krijoi grupin parlamentar demokrat duke deklaruar në Kuvend pjesëmarrjen në zgjedhje, Rudina Hajdari po përgatitet të krijojë një parti të re. Megjithëkëtë, kur të martën është afati i fundit për regjistrimin e partive për 30 qershorin, duket se praktikisht Hajdari e ka të vështirë të kryejë në kohë të gjitha procedurat.
Asaj i duhen 3 mijë firma për tu regjistruar si parti në gjykatë dhe mandej duhet të regjistrohet dhe në KQZ. Në këto kushte, duhet parë nëse KQZ, si në 2017 me Bashën do të gjeje një rrugëdalje për të regjistruar Partinë e Re të Demokratëve jashtë afateve. Nëse nuk i kap afatet, Hajdari dhe grupi që e mbështet atë, mund të kandidojnë në bashki të caktuara me kandidatë të pavarur.
Ndërkohë, deri më tani, Hajdari ka pranuar se është takuar e konsultuar me figura të rëndësishme mes demokratëve të gardës së vjetër, si Astrit Patozi e Jozefina Topalli. Deri më tani, i vetmi që publikisht ka shprehur mbështetje për veprimet e vajzës së Azem Hajdarit është Astrit Patozi.
Ngelet për tu parë nëse përpjekja e Rudinës për të bërë parti, apo për të marrë pjesë në zgjedhje, do të marrë përkrahje nga të pakënaqur të tjerë të Bashës, si Arben Imami, Ritvan Bode dhe shumë të tjerë. Dje në Kuvend Rudina Hajdari ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe ftoi demokratët që të mbështesin platformën e saj.
Ndërkohë në sondazhin e fundit të publikuar nga Report TV numri i qytetarëve dhe demokratëve që nuk janë dakord me djegien e mandateve është i lartë. Sipas sondazhit të të institutit "GPF Inspiring Research" 45.3% e shqiptarëve nuk e mbështesin absolutisht aksionin e opozitës me protesta në shesh.
17.2% mendojnë se opozita po humbet efikasitetin me këtë strategji. Ndërsa 61.3% kanë deklaruar se pavarësisht nëse shkon apo jo opozita në zgjedhje do të shkojnë të votojnë, ndërsa 38.7% janë shprehur se nuk do të shkojnë në votime.