Deputetët e rinj në Parlament janë regjistruar në 2 grupe parlamentare. Të ardhurit nga listat e demokratëve do të kenë kryetare të grupit të tyre parlamentar Rudina Hajdarin, ndërsa deputetët e ardhur nga listat e LSI kanë zgjedhur të regjistrohen si grup i pavaruar dhe për kryetar kanë votuar Nimet Musain.
Në fjalimin e saj të parë si kryetare e grupit parlamentar, Hajdari u kërkoi demokratëve që nuk e kanë përkrahur vendimin e djegies së mandateve, të besojnë se do të jenë zëri i tyre në Kuvend.
Hajdari paralajmëron se grupimi i saj mund të dalë i vetëm në zgjedhje si alternativë, jo nën siglën e Partise Demokratike.
"Do kërkoja nga çdo demokrat që të na mbështesin në këtë iniciativë. Nuk jemi dakord për bojkotimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit. Sado e korruptuar të jetë kjo mazhorancë, ne nuk duam në asnjë lloj mënyre të bojkotojmë çfarëdo lloj zgjedhjesh. Ne do përpiqemi që opozitarëve mos t'i lemë një vend bosh në këto zgjedhje. Ftoj në këto përpjekje për të mos i bojkotuar zgjedhjet, ta rikonsiderojnë vendimin, sepse nuk është një mjet demokratik, nuk mund të luajmë jashtë rregullave politike, të respektojmë Kushtetutën. E konsideroj të rëndësishme që ne të përgatitemi dhe të marrim masa të mundshme për të shpalosur një alternativë tonën".
Por beteja politike e grupimit të ri thotë se do jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor.
"Ftoj çdo lloj demokrati të na përkrahë që të mundohemi të shpalosim alternativën tonë në Parlament, të hapim rrugë për një garë reale në Parlament, të ndryshojmë sistemin, t'i japim fund sistemit që e ka kalbur demokracinë".
Kërkesën e opozitës së re për ndryshimin e Kodit, shumica thotë se është gati ta shqyrtojë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Grupi parlamentar socialist i kërkoi Kuvendit zgjatjen e mandatit deri në 28 Nëntor të këtij viti me mundësinë e diskutimit të ndryshimit të sistemit. Ndërsa grupet e reja kanë deklaruar se do të mbështesin reformën në drejtësi dhe integrimin europian të vendit.
Tv Klan