Vëllai i Admir Muratajt, Cen Murataj përjashton mundësinë që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë për të zbardhur grabitjet ku mund të ketë qenë i përfshirë Admiri. ?Nuk bëhem kurrë spiun i Prokurorisë?. Rrëfen jetën e Adit, siç ai e quan: Nuk e ka bërë ushtrinë, pasi ka studiuar pedagogji. Më tej jeta në Greqi për të fituar të ardhura për familjen dhe devijimi që pësoi në vitin 2014, kur u kthye prej andej, dhe ku del edhe pangopësia e tij për grabitje me vlera miliona euro. "Zemrën e kishte sa i peshonte trupi", thotë Can Murataj, teksa në një rrëfim për gazetarët një javë pas grabitjes në aeroportin e Rinasit që i mori jetën e vëllait, ai duket i tërhequr nga beteja personale për të gjetur bashkëpunëtorët që e "hodhën në rrugë".
***
Ndërsa Admir Murataj humbi jetën në tentativë për t'u arratisur pas grabitjes së bujshme më 9 prill 2019 brenda në aeroportin e Rinasit, Can Murataj nga Tropoja, thotë se vëllai tjetër që ndodhet i dënuar me 12 vjet e 8 muaj për një tjetër grabitje në Rinas në 2017-ën, është marrë peng nga Prokuroria në mënyrë që autoritetet të mund të shkonin drejt Admirit. Ky i fundit prej vitit 2013 ishte në kërkim policor pasi ishte arratisur nga një burg grek, ndërsa në Shqipëri ishte në gjykim në mungesë për dy grabitje, një në Qafë Kashar të autoblindave me para të një banke të nivelit të dytë, dhe grabitjen e një banke tek Stacioni i Trenit.
Can Murataj, vëllai i Admirit, në një rrëfim për gazetarët, tregon jetën e panjohur të Admirit, nga shkolla për pedagogji, puna si mësues, emigrimi në Greqi ku punoi si murator profesionist dhe deri tek devijimi në vitin 2014, kur sipas tij pësoi çekuilibrime dhe iu fut botës së krimit përmes grabitjeve. Thotë se është munduar të ruajë qetësinë përballë faktit që vëllai i tij u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa u hodh në rrugë sipas tij nga bashkëpunëtorët në grabitje. Policia e ka survejuar familjen e tij prej vitit 2017, tregon ai, ndërsa pasuria e vetme e Admirit sipas tij, është vetmë një vilë në Prezë, ku ai dha edhe intervistën për mediat.