Janë 80 mijë leje legalizimi të cilat kanë marrë aktin e pronësisë por që duhet të regjistrohen edhe njëherë nga e para.
I gjithë sistemi hartografik i Hipotekës ka qenë i hedhur gabim, prandaj paralelisht do të punohet për ndërtimin e hartave të reja dixhitale, të cilat tashmë do të jenë të sakta dhe do të zhdukin mbivendosjet e pronës.
Regjistrimi i tyre do të nisë menjëherë pas funksionimit të Agjencisë së Kadastrës, institucion i cili do të merret njëkohësisht me inventarizimin e pronave të shtetit, legalizimin e objekteve informale dhe regjistrimin e pronësisë.
Menjëherë pas nisjes së punës, agjencia e re do të bëjë edhe regjistrimin e të gjitha tokave në pronësi të shtetit, duke nisur me ato në bregdet.
Të gjithë personat të cilat kanë akte pronësie të tokës, do të kenë afat 60 ditë për dorëzimin e dokumenteve të pronësisë, e më pas filtri nëse dokumentacioni është i saktë dhe jo i falsifikuar, do të bëhet nga Agjencia e Kadastrës. Pas këtij afati, tokat që nuk do të kenë pronarë do të regjistrohen të gjitha në pronësi të shtetit.
Aktualisht personi i vetëm që është emëruar në këtë agjenci është Drejtori i Përgjithshëm Artan Lame, ndërsa pritet që së shpejti të dalë urdhri i Kryeministrit për të ngritur strukturën e re të agjencisë.
Agjencia e Kadastrës do të ketë 41 zyra rajonale, numri i të cilave do të synohet të shkojë në 61, në mënyrë që të ketë një njësi për çdo bashki.
Tv Klan