Kryeministri Edi Rama ndodhet në Katar ku po zhvillon një vizitë zyrtare me ftesë të Emirit të Katarit, Sheikut Tamim bin Hamad Al Thani.
Kryeministri u prit në një ceremoni të posaçme zyrtare ku merrnin pjesë personalitetet më të larta të shtetit.
Më pas ai u prit në një takim të veçantë nga Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, si dhe shprehën angazhimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, kryesisht në turizëm dhe infrastrukturë. Gjithashtu, zhvillimi i turizmit dhe i tregtisë së ndërsjellë, u theksua si prioritet.?
Rama takon kryeministrin e Katarit
Gjatë vizitës së tij në Katar, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim dypalësh me Kryeministrin e Katarit, Shkëlqesinë e Tij Abdullah bin Naser Al Khalifa Al Thani.
Homologët vlerësuan bashkëpunimin ekzistues mes vendeve, si dhe dakordësuan që potenciali bashkëpunues të zhvillohet edhe më tej në fusha si ajo e bujqësisë, agroindustrisë, energjisë dhe në mënyrë të veçantë, energjisë së rinovueshme. Me interes u mirëprit edhe bashkëpunimi në fushën e transportit ajror.
Kryeministri i Katarit, Shkëlqesia e Tij Abdullah bin Naser Al Khalifa Al Thani u shpreh se është ngritur një grup i posaçëm pune, në krye të të cilit është ai vetë, i cili do të realizojë së shpejti një vizitë në Shqipëri, me qëllim identifikimin e potencialeve dhe orientimin sa më të mirë të investimeve në bashkëpunimin Shqipëri ? Katar.
Gjithashtu, gjatë takimit u firmosën disa marrëveshje: Marrëveshje Për Transportin Detar mes qeverisë së Shtetit të Katarit dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë; Letër qëllimi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Shtetit të Katarit; Letër qëllimi për bashkëpunimin në Fushën e Sportit
Ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve të Shtetit të Katarit.
Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj.