Ndërsa Admir Murataj humbi jetën në tentativë për t'u arratisur pas grabitjes së bujshme më 9 prill 2019 brenda në aeroportin e Rinasit, Can Murataj nga Tropoja, thotë se vëllai tjetër që ndodhet i dënuar me 12 vjet e 8 muaj për një tjetër grabitje në Rinas në 2017-ën, është marrë peng nga Prokuroria në mënyrë që autoritetet të mund të shkonin drejt Admirit. Ky i fundit prej vitit 2013 ishte në kërkim policor pasi ishte arratisur nga një burg grek, ndërsa në Shqipëri ishte në gjykim në mungesë për dy grabitje, një në Qafë Kashar të autoblindave me para të një banke të nivelit të dytë, dhe grabitjen e një banke tek Stacioni i Trenit.
Can Murataj, vëllai i Admirit, në një rrëfim për gazetarët, tregon jetën e panjohur të Admirit, nga shkolla për pedagogji, puna si mësues, emigrimi në Greqi ku punoi si murator profesionist dhe deri tek devijimi në vitin 2014, kur sipas tij pësoi çekuilibrime dhe iu fut botës së krimit përmes grabitjeve. Thotë se është munduar të ruajë qetësinë përballë faktit që vëllai i tij u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa u hodh në rrugë sipas tij nga bashkëpunëtorët në grabitje. Policia e ka survejuar familjen e tij prej vitit 2017, tregon ai, ndërsa pasuria e vetme e Admirit sipas tij, është vetmë një vilë në Prezë, ku ai dha edhe intervistën për mediat.
Para gazetarëve, Can Murataj thotë se ka qenë gjithmonë transparent me policinë, por thekson se: Bashkëpunëtor nuk do të quhet kurrë.
Vëllai tjetër i tij është në burg i dënuar për grabitjet, por Can Murataj thotë se atë ditë Aleksandri ka qenë në operacion tek dentisti dhe se është arrestuar vetëm për tu shfrytëzuar si person që mund të çonte drejtësinë tek Admiri.
Can Murataj tregon se Admiri ka studiuar për pedagogji, "ka qenë mësues, më tej iku nga mësuesia dhe mori gruan e tij dhe fëmijët në Greqi. Punoi atje murator, por pasi disa vitesh u rikthye i zhgënjyer nga jeta atje. Iku nga mësues mori nusen iku në Greqi. I thash: Vëllai ik nga Greqia është Evropa e madhe! Të jeni të bindur tek zoti, ka filluar punën në Greqi murator, mori një magazinë supermarket për mirëmbajtje. I ka ndërruar emrat për motive përfitimi. Po nuk ishe Thanasi në Greqi nuk tu hapnin duart. Më erdhi më tha Greqia ka marrë fund, ka rënë 16 kile në peshë, nuk e kanë njohur si njeri. Në 2014-ën ju kthye grabitjeve në shuma të mëdha. Del ajo pangopja sikur Admir Murataj", thotë ai.