Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe pse ka disa prova të rëndësishme në dispozicion që mund të çojnë në identifikimin e grabitësve të disa miliona Eurove ende nuk ka ndonjë të dyshuar. Provat më të rëndësishme janë gjetur në furgonin me mbishkrimin hetimi tatimor, me të cilin 5 autorët realizuan grabitjen.
Nga ana tjetër kërkimet e policisë nuk kanë dhënë asnjë rezultat për të arrestuar ndonjë të dyshuar që ka marrë pjesë në grabitjen e rreth 6.5 milionë Eurove në pistën e aeroportit të Rinasit.
Mësohet se hetuesit pritet ti rikthehen grabitjeve të mëparshme që janë realizuar nga grupi i Admir Muratajt, që mbeti i vrarë nga shkëmbi i zjarrit me policinë, për të parë nëse ndonjë nga personat që ka marrë pjesë ka lidhje me ngjarjen e së martës. Nga hetimet e mëparshme, organi i akuzës ngriti dyshime se pjesëtarë të kësaj organizate që drejtohej nga 47-vjeçari Murataj ishin rreth 20 persona, por pjesa më e madhe e tyre në atë kohë nuk u identifikuan.
Hetuesit pritet të marrin në pyetje edhe drejtuesit e kompanisë ISTS, për të dhënë sqarime mbi masat e marra për të siguruar perimetrin e brendshëm të aeroportit si dhe procedurën e ndjekur mbi raportimin në polici në kohën kur ndodhi grabitja. Deklarime pritet të japin edhe drejtues të TIA, mbi programin e hartuar për sigurinë e brendshme të aeroportit.
Tv Klan