Report Tv - Këmbimi valutor/ Pasojat e grabitjes, vijon forcimi artificial i lekut në treg

2019-05-27 1

Leku po forcohet ndaj të gjitha valutave të huaja, por sidomos ndaj arit dhe argjendit. Kjo është një situatë që është përshpejtuar pas ditës së martë, kur ndodhi një nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend, kur një bandë e armatosur sulmoi avionin që do të transportonte një sasi të madhe parash jashtë shtetit. Grafikët e përgatitur nga Banka e Shqipërisë nxjerrin në pah shumë qartë një ndryshim të dukshëm të tendencës në këmbimet valutore që kryhen në Shqipëri pas datës 9 prill, kur ndodhi edhe grabitja me armë në aeroportin e Rinasit.

Sa u përket euros, dollarit, paundit britanik dhe frangës zvicerane, valutave që përdoren më së shumti nga bankat kryesore në vend për transfertat me jashtë, vihet re që nga 1 prilli një vlerë gati pezull në këmbimet e tyre me lekun, ndërkohë që vetëm një ose dy ditë para grabitjes kursi i tyre ka lëvizur shumë pak në rënie. Kjo mund të shpjegohet me faktin se bankat e nivelit të dytë kanë plotësuar shumën në valutë që synonin për të transferuar jashtë Shqipërisë, duke mos blerë më në tregun e brendshëm euro, dollarë, paund dhe franga.

Por një pikiatë e vërtetë është realizuar pas ditës së grabitjes së Rinasit. Pas njoftimit të zëdhënëses së kompanisë ajrore ?Austrian Airlines? se ky subjekt heq dorë nga çdo transferim parash, pas ngjarjes së ndodhur në Tiranë, menjëherë u krijua edhe situata, kur bankat ? ndikueset kryesore në kurisin e valutës në tregun shqiptar - nuk po blejnë më në treg valutë, duke bërë që kërkesa të ulet dukshëm.

Rënia e vlerës së valutave kundrejt lekut ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme, madje me ritme të përshpejtuara në krahasim me dy ditët e mëparshme, duke reflektuar pamundësinë që bankat kanë për të transportuar valutën jashtë vendin, çka po i bën ato të kufizohen në transaksionet e këmbimit valutor.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 123.58 lekë, duke shënuar një rënie prej 0.62 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Kjo është rënia më e madhe ditore që prej qershorit të vitit të kaluar, përpara se Banka e Shqipërisë të ndërhynte për të frenuar rënien e monedhës së përbashkët.

Free Traffic Exchange