Që në prill të vitit 2016, domethënë dy muaj para grabitjes së 30 qershorit 2016, në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës ishin konstatuar probleme të rënda të sigurisë, por, megjithë paralajmërimin e bërë nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), nuk u mor asnjë kundërmasë, duke bërë të mundur kështu që pak javë më pas një bandë kriminelësh të hynte në pistë, duke grabitur një furgon që transportonte disa miliona euro të një banke.
Por, përballë indiferencës së firmës koncesionare, u vu re një qendrim i çuditshëm edhe nga ana e Autoriteti i Aviacionit Civil (në atë kohë të drejtuar nga Aleksandër Lipivani i LSI-së), i cili, edhe pse kishte në dispozicion shumë instrumenta për ta detyruar firmën koncesionare që të reagonte, në fakt u kufizua vetëm me disa vërejtje me shkrim dhe duke vendosur (në korrik 2018) vetëm një gjobë 500.000 lekë, që janë qindarka për një kompani, e cila në 10 vjet ka fituar 180 milionë euro të ardhura. Përse Autoriteti i Aviacionit Civil nuk përdori të gjithë forcën që i kishte vënë shteti në dispozicion? Dhe pse, pavarësisht nga problemet e rënda të evidentuara, nuk paraqiti asnjëherë asnjë kallzim penal kundër firmës koncesionare, sikurse është detyrimi ligjor?
Përgjegjësia në këtë fushë është në formë piramide: në bazë të saj është kompania koncesionare ?TIA? dhe firma ?ICTS?, e cila ka fituar tenderin privat për sigurinë e aeroportit, por në majë mbetet Autoriteti i Aviacionit Civil, të cilit i takon kontrolli përfundimtar. Kështu, nëse ka gabuar koncesionari, është përgjegjësia edhe e AAC-së që nuk ka reaguar në masën e duhur.
Redaksia investigative e Shqiptarja.com ka analizuar situatën e sigurisë në aeroportin ?Nënë Tereza? nga viti 2016 e deri më sot, duke zbuluar se grabitja skandaloze e pak ditëve më parë është vetëm episodi i fundit i një serie shkeljesh të sigurisë në të, të ndodhura këto tre vjetët e fundit. Një nga këto episode, i regjistruar ndërmjet 15 dhe 16 janarit 2017, u konsiderua aq i rëndë, sa të ?klasifikohej?, pra të mbulohej nga sekreti shtetëror. Mbi këtë episode nuk kemi mundur të mbledhim detaje të tjera, por është e sigurt që për këtë rast ka nisur një hetim i brendshëm, i cili edhe një herë tjetër nuk ka sjellë asnjë rezultat.