Grabitja/ Gjoni kërkesë Metës: Mblidh 'Sigurinë'! Lleshaj: E vendos vet se kur largohem

2019-05-27 0

Vijon seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi nisi me betimin e tre opozitarëve të rinj duke e dërguar numrin e deputetëve në 102. Në rendin e ditës janë disa cështje mes tyre, raporti për vitin 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit u shpreh se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat dhe tani fati për hapjen e negociatave është në dorën e vendeve anëtarë, një pjesë e të cilave kanë një debat të brendshëm për shkak të forcave anti zgjerim duke sjellë rastin e Francës.

E ndërsa kryeministri Rama u largua nga seanca pas fjalës, debati u zhvendos te grabitja në aeroportin e Rinasit. Deputeti opozitar Ralf Gjoni i kërkoi Presidentit që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa i bëri thirrje ministrit Lleshaj që nëse për 2-3 javë nuk kapen autorët dhe të gjenden lekët të japë dorëheqjen, teksa javën e ardhshme njoftoi se do ta thërrasin në interpelancë. Lleshaj tha se ngjarje të tilla ndodhin në cdo vend, ndërsa në rastin konkret policia reagoi në mënyrë të paparë.