Ushtria merr ne kontroll aeroportin e Rinasit

2019-05-27 0

Ushtria merr në kontroll sigurinë e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Pas grabitjes së ndodhur pasditen e së martës në pistën e avionëve, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, teksa ngarkoi me përgjegjësi koncesionarin për dështim në garantimin e sigurisë, njoftoi se ka urdhëruar vendosjen e forcave elitare ushtarake, që do të jenë në mbështetje të policisë.

"Kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit "Nënë Tereza" të vendosen efektivë të policisë sonë ushtarake dhe të batalionit tonë special të Forcave të Armatosura. Kjo është një praktikë që zbatohet pothuajse në çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të policisë me qëllim garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve. Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga aeroporti i Rinasit ndodhet edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam udhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit. Dua t'i garantoj të gjithë qytetarët që siguria e tyre është prioriteti ynë kryesor dhe askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka që duhet për ta garantuar atë".

 Kryeministri Rama, në prononcimin e tij të parë për ngjarjen, po ashtu e drejtoi gishtin e përgjegjësisë drejt kompanisë koncesionare.

"Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s'do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme. Respekt për policinë që sulmohet veshëgjatësisht".

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, shkoi edhe më tej. Ai tha se koncesionari jo vetëm ka dështuar me sigurinë, por as nuk njoftoi në kohë policinë.

"Koncesionari dhe kontraktori i tij për sigurinë nuk kanë arritur madje as të sinjalizojnë policinë për këtë thyerje të patolerueshme të sigurisë. Ka refuzuar zbatimin e kërkesave të shumta dhe të herë pas hershme të Policisë së Shtetit për marrjen e masave në drejtim të sigurisë fizike".

Përsa i përket ngjarjes, ministri tha se grabitësit kanë lënë pas gjurmë të shumta, të cilat mund të çojnë shumë shpejt në kapjen e tyre.

Tv Klan