Kriza politike, Palmer takon Bashen e Meten

2019-05-27 0

Pak minuta pasi ndau me gazetarët mesazhin e Washingtonit duke e cilësuar legjitime qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 2017-s dhe teksa i kërkoi opozitës të gjejë rrugën për t'u bërë pjesë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazinë u ngjit në zyrën e Lulzim Bashës.

Në takimin që zgjati 60 minuta, zyrtari i lartë amerikan shoqërohej nga numri dy i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Lejla Moses Ones, ndërsa në krah të Lulzim Bashës ishin dy ish-deputetët, Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi.

Ndonëse pas takimit nuk u dhanë detaje nga biseda e zhvilluar, besohet se qëndrimin e Ëashingtonit se opozita duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve lokale, zoti Palmer e ka ndarë drejtpërdrejt me kryedemokratin Basha.

Vetë Lulzim Basha, i cili nuk pranoi të prononcohej për mediat pas daljes nga takimi, përmes një mesazhi në rrjetet sociale sqaroi që kriza politike dhe mungesa e institucioneve kushtetuese kishin qenë në qendër të takimit 60 minutësh me zyrtarin e lartë amerikan.

"Bisedë e hapur dhe konstruktive me Matthew Palmer mbi situatën: mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pandëshkueshmëria, krimi, korrupsioni dhe kriza politike. Përkushtim i përbashkët për demokraci, shtetin e së drejtës dhe mirëqeverisjen si rruga e vetme për stabilitet dhe Shqipërinë në BE".

Vizitën zyrtare në Tiranë, Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Euroazinë, Palmer e mbylli me një takim në Presidencë me kreun e shtetit Ilir Meta.  Në një njoftim nën rrjetin social, Facebook, Meta njofton se:?Takim i hapur dhe miqësor me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Europën, Mattheë Palmer mbi situatën e vështirë politike në vend dhe rrugëdaljet për të ecur përpara. Interes i ndërsjelltë për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, që qëndrojnë në themel të partneritetit strategjik mes dy vendeve?.

Tv Klan

Free Traffic Exchange