Tjetër grabitje miliona Eurosh në Rinas

2019-05-27 1

Katër persona të maskuar dhe të armatosur hynë rreth orës 15:00 në pistën e aeroportit të Rinasit dhe grabitën një shumë të konsiderueshme parash.

Bëhet fjalë për disa miliona Euro të një banke të nivelit të dytë që u dërguan në një avion të linjës Tiranë ? Vienë nga një makinë e kompanisë "Nazeri 2000".

Nuk ka ende të dhëna zyrtare për shumën e saktë që është grabitur, por dyshohet se bëhet fjalë për afro 2 milionë Euro.

Grabitësit kanë hyrë me një furgon nga ana e parkingut 24 orësh të pasagjerëve dhe kanë dalë nga një portë në krah të rruges Rinas ? Fushë Krujë, porta e zjarrfikësve, e njëjta nga ku 3 vjet më parë hyri edhe një Mercedes që u përdor për një grabitje të ngjashme. Nën kërcënimin e armëve kanë marrë thasët me para në furgon dhe në pjesën e kargos së avionit.

Autorët për të kryer grabitjen përdorën një furgon të bardhë me mbishkrimin "Kontrolli Tatimor" dhe më pas dolën nga e njëjta portë.

Disa pasagjerë të avionit dëshmuan se grabitësit u vendosën armët në kokë punonjësve të policisë private. Thanë se ishin veshur me rroba të zeza dhe antiplumb dhe besuan se bëhej fjalë për një stërvitje policore.

Pas rreth 800 metrash pasi kanë dalë nga pista, grabitësit janë përballur me forcat e policisë, të cilat ndodhen të stacionuar pranë aeroportit. Ata kanë qëlluar me armë ndaj efektivëve, të cilët u kundërpërgjigjën. Nga shkëmbimi i zjarrit, ka mbetur i vdekur njëri nga grabitësit.

Personi i vrarë është hedhur nga furgoni dhe tre grabitësit e tjerë i janë drejtuar Fushë-Krujës. Në ndjekje janë vënë forca të shumta speciale, ndërkohë që në operacion ka marrë pjesë dhe një helikopter i Ministrisë së Brendshme.

Furgoni me logon e "Hetimit Tatimor" është gjetur i djegur pranë vendit ku mbeti i vrarë grabitësi. Rreth një orë më pas, një tjetër furgon u gjet i djegur mes Kamzës dhe Bathores. Brenda ka pasur një arsenal të rëndë armësh.

Televizioni Klan mëson se janë nxjerrë 4 urdhra-arresti, ndërkohë që rreth 40 persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje për ngjarjen.

Tv Klan