Situata kritike politike pritet të marrë një kthesë të re me vizitën e zv. ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer sot në Tiranë, në kuadër të një turi ballkanik. Palmer mbërriti në Tiranë pasditen e sotme, ndërsa serinë e takimeve e nisi me kryeministrin Edi Rama në orën 16:00. Ndërsa nesër pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta. Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë një bisedë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës.
Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë. Vizitës së Palmer i parapriu vizita e zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonanathan Moore, i cili zhvilloi disa takime, ndërsa u bë publike për mediat vetëm takimi i deputetes të partisë Demokratike, Rudina Hajdari dhe ish kryeministrit Sali Berisha.
Ndikimi i Mattheë Palmer u duk që në fillimet e krizës. Një ditë para se deputetët e opozitës të linin mandatet, Palmer zhvilloi dy biseda telefonike me liderët e opozitës Bashën dhe Kryemadhin, ndërsa pas komunikimit me zyrtarin amerikan, edhe pse opozita nuk u tërhoq nga akti ekstrem, protesta e saj rezultoi e qetë dhe pa akte dhune, ndryshe nga ajo e 16 shkurtit.