Banorët në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë, kanë dalë në protestë për të kundërshtuar shembjen e banesave të tyre në kuadër të zgjerimit të Bulevardit të Ri. Me gurë dhe shkopinj në duar, qytetarët nuk kanë lejuar fadromat që të nisin punën, pasi sipas tyre nuk kanë marrë ende kompensimin.
Pavarësisht kushteve të këqija të motit, kjo nuk i ka penguar qytetarët të ngjiten në çatitë e shtëpive, për të mbrojtur me trup shtëpitë e tyre. Ato kanë hedhur tjegulla në drejtim të uniformave blu.Gjithashtu, banorët shprehen se nuk ishin njoftuar më herët se prishja e banesave do të ndodhte ditën e sotme. Të pranishëm në protestë janë edhe ish- deputeti i Partisë demokratike, Klevis Balliu dhe ish- deputetja Jorida Tabaku.Për shkak të kundërshtimit të banorëve është pezulluar shembja e shtëpive. Largimi i fadromës dhe i uniformave blu ka qetësuar banorët e bregut të Lumit, e ndërsa mësohet se në mbështetje të tyre kanë mbërritur edhe protestues nga zona e Astirit.