Report Tv - Kriza politike/Zv. ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer vizitë në Tiranë

2019-05-24 0

Situata kritike politike pritet të marrë një kthesë të re me vizitën e zv. ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili do të mbërrijë në Tiranë në fillim të javës, në kuadër të një turi ballkanik. Pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve, në lojë futet diplomacia amerikane, e cila zbarkon në Shqipëri në një kohë që opozita ka djegur mandatet dhe ka nisur protestat e pandalshme, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje.

Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë me kryeministrin Edi Rama të hënën, ndërsa të martën e 9 prillit, pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta. Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë një bisedë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës.

Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë. Vizitës së Palmer i parapriu vizita e zyrtartit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonanathan Moore, i cili zhvilloi disa takime, ndërsa u bë publike për mediat vetëm takimi i deputetes të partisë Demokratike, Rudina Hajdari dhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Ndikimi i Matthew Palmer u duk që në fillimet e krizës. Një ditë para se deputetët e opozitës të linin mandatet, Palmer zhvilloi dy biseda telefonike me liderët e opozitës Bashën dhe Kryemadhin, ndërsa pas komunikimit me zyrtarin amerikan, edhe pse opozita nuk u tërhoq nga akti ekstrem, protesta e saj rezultoi e qetë dhe pa akte dhune, ndryshe nga ajo e 16 shkurtit.