http://www.vizionplus.tv https://facebook.com/VizionPlusTV https://twitter.com/VizionPlusTV Të paktën 70 persona kanë humbur jetën në përmbytjet e mëdha që përfshinë provincën jugperëndimore Kuzestan në Iran. Deri tani janë evakuuar të paktën nëntë qytete dhe dhjetëra fshatra të provincës e cila më parë u përfshi nga thatësira shumëvjeçare. Ministri i Punëve të Brendshme deklaroi se rreth 400.000 njerëz rrezikohen në provincën e cila ka rreth pesë milionë banorë. Gratë dhe fëmijët janë duke u zhvendosur në zona më të sigurta, ndërsa burrave u kërkohet të qëndrojnë dhe të ndihmojnë me përpjekjet për ndihmë. Në javët e fundit, shumica e vendit është zhytur nën ujë. Kompanitë e energjisë në rajonin e pasur me naftë kanë ndihmuar duke përdorur pompat për të hequr ujin. Reshjet e furishme të shiut filluan më 19 mars, duke përmbytur shumë qytete dhe fshatra. Mijëra rrugë, ura dhe ndërtesa janë shkatërruar. Deri tani, 86,000 njerëz jetojnë në strehat emergjente duke u përpjekur të përballen me krizën. Sipas zyrtarëve, Forcat e armatosura janë duke përdorur të gjithë fuqinë e tyre për të minimizuar dëmet. Qeveria ka premtuar se të prekurit, veçanërisht fermerët, do të kompensohen për humbjet e tyre. Por Ekspertët e mjedisit besojnë se shpyllëzimi ka qenë një nga shkaqet kryesore të përmbytjeve në vitet e fundit në vend. Sipas Organizatës së pyjeve dhe burimeve natyrore, shpyllëzimi ka shkatërruar rreth gjysmën e pyjeve në Irani, në zonat ku kanë ndodhur përmbytje të mëdha. Sipas organizatës, zona e pyjeve është zvogëluar nga 3.6 milionë në 1.8 milionë hektarë gjatë 40 viteve të fundit.