Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kukës me banorët në kuadër të turit 'Bashkia që duam' ku zbuloi emrin e kandidatit për kryetar bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit. Ai do të jetë Presidenti i ekipit të futbollit të Kukësit, Safet Gjici. Militantët demokratë tentuan dy herë të blokojnë kreun e qeverisë gjatë vizitës në Kukës, por nuk ia arritën. Pas njoftimit se Rama do të udhëtonte në Kukës, militantët e opozitës ne kryetarin e bashkisë në krye udhëtuan drejt Rrugës së Kombit me pankarta në duar për t'i bllokuar rrugën, por kreu i qeverisë arriti në qytetin verilindor me helikopter dhe takimin e zhvilloi në aeroportin Kukësit.
"Edi Rrama nuk ka sesi të luajë me fatet e kuksinëve, kemi vënë tra simbolik sepse jemi në tokën tonë. Në mënyrë absolute nuk kemi asnjë komunikim se cfarë do të bëhet me aeroportin, le ta nxjerrë lejen e KKT-së. Mos të luajë me fatet e kuksianëve. Kryetari i PS dhe prefekti nëse janë kopsht zoologjik të thotë. Unë nuk e dua fare mandatin tim nëse shkelen të drejtat e njerëzve. Ne nuk jemi njerëz që ngjitemi në pemë, të ketë trup Edi Rama dhe të bëjë kujdes kur flet me kuksianët. Qeveria Rama është e rënë. Nëse ai ka një informacion të vetëm për gjithë kryetarët e bashkive që ka PD-ja, unë i pari që sot jap dorëheqjen dhe nuk e dua këtë mandat" tha Bashkim Shehu.
Por ndërsa e prisnin që të kalonte nga Rruga e Kombit, Rama fluturoi me helikopter në Kukës. Pasi mësuan lajmin, simpatizantët e PD-së u nisën drejt aeroportit. "Edi Rama me shpenzimet e shtetit ka refuzuar të kalojë nga rruga dhe ka shkuar me helikopter në aeroportin e Kukësit. Për t'i thënë Edi Ramës që nuk je i mirëpritur në Kukës" ishte reagimi i dytë kryebashkiakut. Ndërsa disa nga simpatizantët e tjerë demokratë u shpreh "jemi pa bukë. Shtyjeni kordonin deri tek ura, të kthehet mbrapsht të shkojë në shtëpinë e tij nuk ka cfarë kërkon këtu". Por deri sa Bashkim Shehu dhe demokratët e tjerë udhëtuan nga Rruga e Kombit ku i kishin zënë pritë kryeministrit deri në aeroport ku u mbajt takimi, takimi me qytetarët kishte përfunduar dhe Rama fluturoi sërish për në Tiranë. Ndërkohë që situata mes policisë dhe protestuesve u tensionua për disa minuta.