Zv/kryeministri Erjon Braçe ishte sot në Vlorë dhe në Patos që në orët për të monitoruar zbatimin e orarit të punës në disa institucione (lexo këtu). Më pas, i shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Patosit dhe deputetja socialiste Dhima vizituan ambientet e reja të këshillit bashkiak. Braçe ka bërë edhe disa deklarata politike referuar situatës, pas protestave të opozitës.
I pyetur si i komenton deklaratat e ish-ministrit Bushati dje në parlament se duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët (lexo këtu), ai tha se për të arritur atë duhet dialog, por opozita ndodhet në rrugë dhe kryetari i saj, Basha sorollatet në Bruksel dhe Berlin. Zv/ kryeministri deklaroi se zgjedhjet e 2017 janë legjitime dhe të certifikuara nga ndërkombëtarët, prandaj kurrsesi nuk është gati për të folur për zgjidhje që bien në kundërshtim me Kushtetutën.
"Në 1993 ishim në një situatë që...tani në 1 mijë metra katrorë të Tiranës protestohet për liri dhe demokraci, atëherë ka ardhur policia na ka nxjerrë nga selia e PS-së këtu. Kjo histori nuk do të përsëritet më as me ata që protestojnë. Që të gjesh gjuhën e përbashkët duhet patjetër që të jenë 2, 3, 4 apo 5.
Ne jemi legjitim në Kuvendin e Shqipërisë. Unë nuk di të kemi marrë pushtet ilegjitim. Mënyra si kanë votuar qytetarët është certifikuar nga ndërkombëtarët që e konsideron qeverinë dhe parlamentin legjitim. Është e tepërt që të komentoj palën tjetër, që është opozita e vjetër, e vjetër edhe si histori edhe për shkak të personazheve që e kryesojnë.