Ekzekutimet mafioze dhe kërcënimet/ Lleshaj dhe Veliu 'blic' në Shkodër

2019-05-24 0

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj për herë të tretë brenda pesë ditëve ishte në Shkodër. Pasditen e sotme ai udhëtoi drejt veriut të vendit i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ndërsa zhvilloi një takim me drejtuesin e prokurorisë dhe prefektin për rreth 90 minuta.

Tema e diskutimit kanë qenë ngjarjet e fundit, vrasjet mafioze dhe kërcënimet e drejtuesve të ekipit të futbollit të Vllaznisë ditën e sotme. Në përfundim të takimit, ministrit Lleshaj nuk ka detaje nga biseda duke u mjaftuar me një fjali 'Jemi këtu për të mbajtur angazhimin tonë për ti dhënë vëmendjen maksimale Shkodrës dhe sigurisë së qytetarëve të saj'.

Vizita blic erdhi vetëm disa orë pasi disa persona me synimin për të ndërhyrë në formacion kërcënuan dhe u bënë presion administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë, Suad Lici, drejtorit teknik Engin Firat si dhe trajnerit Agim Canaj.

Pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali, Veliu shkarkoi nga detyra drejtorin dhe zv/ drejtorin e Drejtorisë së Shkodrës duke dërguar Niko Brahimajn me synim rikthimin e sigurisë. Kjo ishte vizita e tretë e Lleshajt në Shkodër brenda pesë ditëve. Pas vizitës të shtunën kur ndodhi vrasja, Lleshaj ishte të hënën kur prezantoi prefektin e ri, ndërsa sot udhëtoi për herë të tretë.