Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i shoqëruar nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu rreth orës 17:00 të pasdites së sotme kanë mbërritur në qytetin e Shkodrës.
Lleshaj, Veliu dhe drejtuesi i prokurorisë po zhvillojnë një takim në Prefekturën e kryeqendrës së veriut, ndërsa referuar situatës në Shkodër, temë e diskutimit mendohet se janë ngjarjet e fundit dhe koordinimi mes institucioneve për të zbuluar autorët e vrasjeve dhe kërcënimet.
Vizita blic vjen disa orë pasi disa persona me synimin për të ndërhyrë në formacion kanë kërcënuar dhe kanë bërë presion ndaj administratorit të ekipit të futbollit të Vllaznisë, Suad Lici, drejtorit teknik Engin Firat si dhe trajnerit Agim Canaj.