FMN: Futja e bizneseve te vogla ne TVSH nuk solli rritje te te ardhurave

2019-05-24 3

Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, përfshirja e 13 mijë bizneseve të vogla në zinxhirin e tatimit mbi vlerën e shtuar, ka dhënë impakt të ulët në rritjen e të ardhurave tatimore. FMN ka bërë një analizë të sistemit të administrimit tatimor në Shqipëri, në bazë të një projekti që kishte me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për dhënien e asistencës teknike në këtë fushë. Raporti thotë se përfshirja e biznesit të vogël në këtë skemë ka sjellë efekt negativ në punën e administratës tatimore, pasi kosto e kontrollit të bizneseve është më e lartë se të ardhurat që janë arkëtuar në buxhet.

 ?Zgjerimi i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në kostot e punës së administratës tatimore, pa patur një efekt të konsiderueshëm në mbledhjen e të ardhurave?.

FMN veçon po ashtu faktin e problematikës së rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, i cili në tetor të 2018-s arriti në 144 milion Dollarë, nga ku rezulton se shumica e kompanive që nuk kanë marrë në kohë TVSH-në janë eksportuese.

 ?Si në rastin që autoritetet tatimore kërkojnë pagesën në kohë të taksave, edhe rikthimi i taksës nga shteti për biznesin duhet të jetë në kohë.?

Fondi nuk bie dakord as me politikat fiskale përjashtuese nga sistemi tatimor, siç është përjashtimi nga TVSH për sektorin e turizmit apo ulja e tatimit mbi fitimin për disa kategori biznesesh.

 ?Disa nga këto ndryshime mund të komplikojnë regjimin tatimor dhe të hapin mundësinë për shmangien e taksave?.

Borxhi që bizneset i kanë administratës tatimore në shtator të 2018-ës arriti në 1 miliard dollarë, ku më shumë se gjysma e tij zotërohet nga firma të mbyllura. FMN shprehet në raport se administrata tatimore ka bërë punë të mirë në zhvillimin e sistemeve informatike duke u bërë më e aksesueshme për bizneset dhe duke eliminuar korrupsionin. Por po ashtu rekomandon që të ndërtojë një strategji për të eliminuar korrupsionin e inspektorëve si dhe të rikthejë në administrimin e Tatimeve strukturën e apelimit të vendimeve të biznesit.

Tv Klan