Report TV -Gjuha shqipe në të gjitha universitetet, flasin profesorët Sinani dhe Sula

2019-05-24 1

Kryeministri Edi Rama u propozoi pedagogëve para disa ditësh, se në të gjitha universitetet do të futet, si lëndë më vete edhe gjuha shqipe. Niveli i përdorimit të saj, në drejtshkrim edhe në të folur, është në gjendje alarmante. Ky shqetësim është ngritur herë pas herë edhe nga akademikët, albanologët dhe pedagogët e gjuhës shqipe në universitet. Por, çfarë mendojnë për këtë propozim akademiku Shaban Sinani dhe Përgjegjësia e Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Lili Sula?

?Duke qenë se gjendja e të përdorurit të shqipes standarde, të njehsuar dhe në funksionet publike është problematike, natyrisht që ideja e qeverisë, e kryeministrit, për ta bërë pjesë të programeve universitare edhe gjuhën shqipe, është shumë e mirëpritur. Është shumë e mirëpritur, së paku për të zgjidhur problemin e dinjitetit, të prestigjit të gjuhës shqipe, të përdoruesve të shqipes në këtë nivel, se mesa mund të kuptoj, nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e gjuhës shqipe të njëjësuar thjesht përfshirja në programet universitare. Kjo është një çështje mjaft e komplikuar?, shprehet akademiku Shaban Sinani.

Edhe për Sulën, kjo është një nisëm, që duhet përgëzuar, në të gjithë situatën problematike prej disa muajsh, ku gjendet arsimi i lartë edhe raportet që ka shteti me universitetet.

?Kur them që kjo nisëm duhet përgëzuar kam parasysh se ideja, që do të futet në shkollat e larta, sepse për t?u futur kërkon punë teknikisht të vështirë për t?u realizuar. Por, duke parë situatën e studentëve që na vijnë në fakultete, edhe në degën e Gjuhë -Letërsisë, kuptohet që situata e gjuhës shqipe, e folur edhe e shkruar është alarmante. Jemi në një nga vitet më të vështira të zotërimit, njohjes dhe të përdorimit të gjuhës amtare?, thotë Lili Sula.

Sinani dhe Sula mendojnë se gjendja e gjuhës është alarmante, por mbrojtja e saj nuk është vetëm çështje programesh universitare.