Hahn: Rekomandim pozitiv per Shqiperine

2019-05-24 0

Komisioni Europian është i vendosur të paraqesë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në raportin që pritet të publikohet më 29 Maj. Këshu është shprehur komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn, gjatë një shkëmbimi idesh me Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

"Ne në Komisionin Europian do të prezantojmë raportin tonë vjetor lidhur me vlerësimin e reformave të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë në fund të Majit. Ne do të bëjmë një rekomandim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, por dhe Shqipërinë. Kjo do bëhet zyrtarisht, veçanërisht në vijim të hapave që ka bërë Maqedonia e Veriut. Mendoj se është tashmë  vërtet koha për këtë. Një vit më parë patëm një qëndrim pozitiv të 25 deri në 26 shtete anëtare për këtë. Çështja e emrit u zgjidh dhe tani mendoj se duhet të hedhim hapin e ardhshëm".

Duke iu përgjigjur pyetjeve të eurodeputetëve, Hahn ka bërë dallimin midis protestave në Ballkanin Perëndimor, duke kundërshtuar termin ?pranvera e Ballkanit?. Ai ka siguruar skeptikët e zgjerimit, se procesi i paraanëtarësimit i nënshtrohet unanimitetit të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

"Unë nuk do të përdorja termin ?pranvera e Ballkanit, pasi protestat në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri bëhen për arsye dhe motive të ndryshme. Ka shumë çështje të politikës së brendshme që lidhen me këto protesta dhe vijnë si rrjedhim i pakënaqësisë kundrejt qeverive aktuale. Unë dua të shoh shumë pozitivisht hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, por rrjedhimisht edhe me Shqipërinë. Secili bëhet nervoz për këtë, por kjo nuk do të thotë gjë tjetër, përveçse që ne do të mund të fillojmë përgatitjet për hapjen e kapitujve të parë të negociatave. Dhe për këtë kërkohet vendim unanim i të gjitha shteteve anëtare. Pra, vlerësimi i përmbushjes së kritereve kërkon një vendim unanim. Por mesazhi ynë duhet të jetë nga ana tjetër, se nëse partnerët tanë përmbushin kriteret për hapjen e negociatave, edhe ne duhet të reagojmë pozitivisht".

Johannes Hahn ka qetësuar skeptikët e zgjerimit të Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit, duke thënë se për Kroacinë janë dashur 8 vjet negociata. Sipas tij, negociatat me vendet kandidate aktuale do marrin më shumë kohë.

Tv Klan