Report TV - Fenomeni i ri pas vettingut, gjyqtarët dhe prokurorët po nxitojnë për të dalë në pension

2019-05-24 1

Një vit pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të parë, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, në drejtësinë shqiptare ka nisur një valë e re largimesh nga sistemi. Arsyeja e deklaruar e largimeve është mbushja e moshës për pension. Por, nëse më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ka votuar në shumë raste për shtyrjen e daljes në pension të gjyqtarëve, sigurisht me vullnetin e tyre, javët e fundit, gjyqtarët po dalin me nxitim në pension.

Madje, për shkak të subjekteve të shumtë, të cilët po nxitojnë për të dalë në pension, Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, me vendimin nr. 16, datë 26.02.2019, ka vendosur të ngrejë një trupë të posaçme gjykuese, të përbërë nga komisionerët Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja, për të deklaruar ndërprerjen e Vetingut për secilin rast. Në harkun kohor të një jave, konkretisht nga data 21.03.2019-28.03.2019, Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka vendosur të deklarojë të përfunduar procesin e Vetingut për 10 gjyqtarë dhe dy prokurorë, për shkak të mbushjes së moshës për pension. Ndërkaq, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në datën 28 shkurt të këtij viti, ka deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit, për shkak të mbushjes së moshës për pension, të dy gjyqtarëve, një nga të cilët ishte kryetar i Gjykatës së Dibrës. Pra, nga fundi i muajt shkurt deri në fund të muajit mars, kanë dalë në pension 14 subjekte.