Report TV - Vrasja e dyfishtë në Shkodër/ Astrit Bilali iu përgjigj autorëve me zjarr

2019-05-23 1

SHKODËR-Report Tv zbardh detaje të reja nga vrasja e dy vëllezërve Bilali. Burime pranë grupit hetimore në Policinë e Shkodrës bëjnë me dije se në momentin e vrasjes njëri nga vëllezërit Bilali ka qenë i armatosur. Gazetari Ergys Kavaja raporton se në momentin kur autorët e vrasjes kanë qëlluar në drejtim të dy vëllezërve, 59-vjecari Astrit Bilali u është kundërpërgjigjur atyre duke qëlluar me pistoletë.

Përveç dëshmive në vendngjarje, kjo është vërtetuar dhe nga gjetja e gëzhojave në vendin e ngjarjes ndërkohë që arma pistoletë është gjetur pranë trupit të viktimës. Në brendësi të mjetit tip 'Benz' që autorët i vendosën flakën pas ngjarjes është gjetur edhe arma e krimit tip automatik e cila është përdorur në vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali.

Sa i takon makinës së djegur nga autorët, blutë e Shkodrës bëjnë me dije se përveç se me targa të falsifikuara ky mjet është deklaruar i vjedhur që në muajin dhjetor të 2018-es. Policia ka shoqëruar mbi 15 persona për këtë ngjarje, por ende nuk janë identifikuar autorët të cilët ekzekutuan në derën e shtëpisë dy vëllezërit Bilali mëngjesin e së shtunës në Shkodër.

?Shqiptarja.com? mëson se në këtë ngjarje kriminale kanë marrë pjesë më shumë se dy persona, pasi gjithçka ka qënë e mirëpërgatitur dhe e studjuar mirë, pasi qitësit janë larguar shumë shpejt nga vendi i ngjarjes por edhe nga vendi ku kanë braktisur makinën. Astrit dhe Brahim Bilali janë përkatësisht babai dhe xhaxhai i Asmer Bilalit, ish-kampionit të boksit të arrestuar si pjesë e grupit Bajri në Shkodër, për këtë arsye vrasje e tyre çon drejt larjes së hesapeve mes dy grupeve të fuqishme në Shkodër. Bajrat pjesë e të cilëve sipas policisë e prokurorisë ishte djali e nipi i dy viktimave kanë prej gati një viti një luftë të hapur me fisin e Licajve.