Artan Hoxha tregon bisedën me Astrit Bilalin një ditë para atentatit, frika që i rrëfeu

2019-05-23 0

Astrit Bilali e ndjente rrezikun që i kanosej. Kishte muaj të tërë që nuk dilte nga shtëpia, lëvizje shumë të kufizura vetëm për tu kujdesur për kuajt. Pasioni i veçantë për hipizmin ishte arsyeja e vetme pse Astrit Bilali dilte nga shtëpia, ndërsa gjatë gjithë kohës e ndjente veten të rrezikuar. Këto detaje i ka dhënë në studion e Report Tv, gazetari investigativ Artan Hoxha, i cili tregon se vetëm ditën e djeshme kishte pasur komunikim me mesazhe me të ndjerin tashmë, Astrit Bilalin.

"Dje kam komunikuar me të, kishte shqetësim në lidhje me ngjarjet e fundit në Shkodër dhe me mos reagimin e policisë për ngjarjet e fundit në Shkodër. Kishte kohë që rrinte i mbyllur dhe bënte lëvizje shumë të kufizuar. Dilte nga shtëpia vetëm për tu kujdesur për kuajt", tha Hoxha.

Gazetari tregoi se pas një muaj izolim në shtëpi, Bilali doli nga banesa në shtator të 2018-ës, për të pritur një grup vizitorësh në resortin e tij me kuaj, e njëjta ditë kur u vra duke kalëruar Arjan Ferracaku. Sipas Artan Hoxhës, kjo vrasje ishte për t'i treguar fisit Bilali se tashmë shenjestra e grupeve kriminale ishte drejtuar nga ta.

"Qëkur ka ndodhur vrasja e Arjan Ferracakut në shtator 2018...Një muaj para shtatorit Astrit Bilali nuk kishte dalë nga banesa prej një muaji. Atë ditë i kishte ardhur një grup turistësh për të bërë shëtitje, se ai ka disa kuaj është pasioni i tij hipizmi, dhe për fat të keq u vra Arjan Ferracaku. Asnjë implikim nuk i gjendej atij njeriu në aktivitete kriminale. Vrasja e Arjan Ferracakut ishte sinjali që Astrit Bilali dhe pjesëtarë të familjes së tij ishin vënë në listën e ekzekutorëve në Shkodër. I hodha një sy mesazheve që kisha shkëmbyer me të, dhe ai shprehet qartë që është në një situatë të vështirë asi dhe familja e tij. Shkodra ka kaluar në '97-ën", tha Artan Hoxha.

Nga studio e Report Tv, gazetari investigativ tha se dy vëllezërit e vrarë sot, Astrit dhe Brahim Billali, nuk janë pjesëtar bandash. Lidhja që bëhet me serialin e vrasjeve - tha Hoxha - është me djalin e tij Astmer Bilalin. Ish-boksieri i Vllaznisë është arrestuar si pjesëtar i bandës së Bajrave në Shkodër.

"Kemi të bëjmë me Astrit Bilalin, 59 vjeç dhe me Brahim Bilalin. Të dy nuk figurojnën askund të implikuar në aktivitet të paligjshëm. Brahim Bilali ka bindje antikomuniste. Është themelues i PD-së në Shkodër, ka qenë këshilltar i PD-së në Bashkinë e Shkodrës, gjithashtu edhe kryetar i grupseksionit të PD-së në Kiras. Brahim BIlali, ish-kampion i hipizmit ishte edhe kryetar i Shoqatës '2 Prilli' në Shkodër", tha gazetari.

Sipas Artan Hoxhës, të gjitha këto vrasje, janë një seri ngjarjes kriminale të paralajmëruara prej korrikut të vitit të kaluar.