TIRANE-Pronari i një pike këmbimi valutor në kryeqytet është sulmuar dhe grabitur nga dy persona mëngjesin e sotëm. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e 'Barrikadave' rreth orës 09:00. Pronari i pikës së këmbimit është Agron Shima 50-vjeç, ndërsa gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se i kanë marrë 60 mijë dollarë.
Autorët, të cilët kanë qenë dy, e kanë ndjekur dhe në momentin që ka dalë nga pika e tij e këmbimit dhe po lëvizte me motor në drejtim të tregut të njohur si ?Dollari", ai është goditur në kokë dhe trup me levë dhe thikë në bark duke humbur kontrollin e motorit dhe rrëzuar në tokë.
Autorët i kanë marrë çantën ku kishte shumë prej 60 mijë dollarësh dhe kanë tentuar që të arratisen, por vetëm njëri ia ka dalë që të largohet, pasi tjetri është prangosur. Autorët, të pamaskuar, por me skafandra në kokë për të mos u identifikuar hipën në motor për t'u larguar me shpejtësi, por në këtë moment ndërhyri me shpejtësi një efektiv i policisë rrugore.