Ndryshon ligji per Vetting-un ne polici

2019-05-22 0

Parlamenti ka miratuar ndryshimet që Ministri i Brendshëm ka propozuar për Ligjin për Vetting-un në Polici.

Një nga ndryshimet që Ministri Lleshaj thotë se do të bënte të mundur përfundimin e këtij procesi në një kohë optimale është që punonjësit e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të kalonin të parët filtrin e vetting-ut dhe më pas të ishte kjo strukturë që të drejtonte këtë proces për dy nivelet e tjera të Policisë së Shtetit. Kjo sipas Lleshajt do të ulte dhe kostot e procesit.

Por ndryshe mendon paraardhësi i tij, Fatmir Xhafaj, i cili hartoi këtë ligj. Ai i cilëson ndryshimet të panevojshme dhe që mund të prekin besueshmërinë e këtij procesi.

Ndër të paktat herë që Xhafaj flet në parlament pas largimin nga posti i Ministrit të Brendshëm rreshton dhe sukseset e tij në krye të këtij dikasteri. Pa specifikuar kujt i adresohen deklaratat e tij, akuzon se segmente të caktuara të prekura nga lufta e nisur nga ai kundër krimit të organizuar po synojnë të dobësojnë Policinë e Shtetit.

Xhafaj u kthen përgjigje dhe akuzave të PD, që ditët e fundit kanë risjellë në vëmendje çështjen ?Babalja?. Sipas tij, e vetmja arsye është frika nga drejtësia.

Tv Klan