E ndërsa jashtë sallës opozita protestoi për tre orë, Kuvendi zhvilloi seancën normalisht dhe pas pesë orësh diskutime ka miratuar rendin e ditës. Projektligji më i rëndësishëm që u diskutua ishte ai për ndryshimet në vettingun për policinë e shtetit që u miratua me 78 vota pro, 4 abstenim dhe 6 kundër. Mes atyre që abstenuan ishte edhe ish-ministri Fatmir Xhafaj.
Ai doli kundër ndryshimeve në ligj që bëri pasardhësi i tij, Sandër Lleshaj. Me ndryshimet që u votuan sot, ligji parashikon që vettingun për policët ta bëjë Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesave, pasi të kalojë vetë në filtër së bashku me 300 gradat e para, por Xhafaj u shpreh se kjo e cënon procesin, pasi ky institucion është në varësi të ministrit, ndërsa SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet. Pas deputetëve të shumicës dhe opozitës, fjalën e mori edhe kryeministri Edi Rama i cili theksoi se shumica po përgatit shumë shpejt ndryshimet në Kodin Penal.
Përveç ashpërsimit të dënimeve për goditjen e funksionarëve të shtetit, një tjetër pikë e rëndësishme që pritet që të bëhet në Kodin Penal është ndarja e politikës nga krimi. "Patjetër paketa duhet të përfshijë edhe vullnetin tonë për ta thelluar ndarjen e politikës nga krimi dhe të qeverisë nga kriminelët, e cila ndryshe nga sa është propaganduar gjithë këto vite ka filluar vetëm kur ne e kemi marrë mandatin tonë të parë" u shpreh ai.
Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Rama tha se është gati që ti japë opozitës të drejtën e vetos për hir të vulave të partive, PD dhe LSI-së, por nuk do ta presin gjatë, pasi reforma do të miratohet para qershorit për negociatat duke bashkëpunuar me opozitën e re. Në fillim të seancës së sotme në Kuvend u betuan edhe dy nga tre deputetët e rinj të opozitës, Arben Elezi dhe Adriatik Alimadhi, ndërsa Ambra Borova e LSI-së nuk ishte e pranishme duke e shtyrë betimin për seancën e radhës. Numri i deputetëve të opozitës së re nga PD dhe LSI-ja që kanë pranuar mandatin ka arritur në 20, ndërsa në total së bashku me shumicën në 99.