Kryeprokurorja Arta Marku, pas prokurorisë së Tiranës ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Krimeve të Rënda për disa dosje, që sipas saj vijojnë që të flenë në sirtarët e këtij organi, por edhe nxjerrjet e informacioneve nga prokurorë të caktuar. Marku u shpreh se disa prokurorë nga Krimet e Rënda 'na kanë bërë që të na vijnë turp', pasi e kanë keqpërdorur postin duke nxjerrë informacion dhe dokumentacion pa dashur t'ia dinë për ruajtje të sekretit hetimor.
"Kjo është prokuroria më e rëndësishme në vend, asnjë veprim i kësaj nuk mund ti shpëtoj opinionit apo politikës. Kjo rrit presionin dhe vështirëson punën tuaj. Keni trajtuar me sukses shumë raste. Pavarësisht ngarkesës keni treguar se dini të punoni dhe në kushtet e një presioni shumë dimensional, por disa prokurorë të tjerë nga radhët tuaj na kanë bërë që të na vijnë turp, e kanë keqpërdorur duke nxjerrë informacion dhe dokumentacion pa dashur t'ia dinë për ruajtje të sekretit hetimor. Ata kanë harruar të bëjnë detyrën dhe të kryejnë hetime aty ku duhet të kryheshin" tha ajo.
Më pas Arta Marku u ndal te dosjet që kanë trazuar politikën në muajt e fundit. Për Kryeprokuroren është e papranueshme sesi cilido i njeh disa dosje me numra. Edhe pse nuk i përmendi konkretisht, referimi shkonte për dosjet 339 dhe 184 të denoncuara nga opozita për krimin zgjedhor në Durrës dhe në Dibër. Marku kërkoi që këto dosje të hetohen në mënyrë objektive, ndërsa theksoi se informacionet nuk duhet të dalin në media, pasi gazearët nuk duhet të jenë pjesë e grupit hetimor.
"Disa nga dosjet kanë trazuar politikën në vend, madje kushdo i njeh edhe me numra dhe kjo nuk mund të jetë situatë normale. Secili prej jush e di mirë se çfarë duhej bërë dhe nuk është bërë, sesi janë mbajtur çështjet nëpër sirtarë për t'u përdorur për interesa të caktuara që ju i dini dhe i njihni mirë. Interesi duhet të jetë hetimi dhe zbardhja e ngjarjeve në të gjitha çështjet, të vjetra apo të reja.
Ky është një organ hetimi dhe jo supermarket që cdo gjë ka çmim. Prokuroria për krimet e rënda ka qenë më cilësore ka ardhur në rënie për shkak të ndërthurjes së punës me interesa personale. Ju kërkoj të fokusoheni te puna, hetoni cështjet që kanë trazuar jetën politike, hetimi të jetë objektiv, mbani larg mediat, gazetarët nuk duhet të jenë pjesë e grupit hetimor, sikur po i trajtoni ju. Hetimi pasuror le për të dëshiruar. Ushtroni kompetencat e plota deri në ngritjen e SPAK, krimi dhe korrupsioni duhet të luftohen cdo ditë" tha ajo.
Ndërkohë që përsëriti kritikat edhe për mungesën e hetimit pasuror, njëjtë si te prokuroria e Tiranës. Për vitin që u mbyll, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë sekuestruar disa apartamente, troje, makina, lokale, restorante, por edhe llogari bankare.