Zbardhet vrasja e Jurgen Kurtit, 3 ne pranga

2019-05-22 2

?Policia ka vënë në pranga 3 persona, të cilët dyshohet se kundrejt pagesës kanë kryer vrasjen e Jurgen Kurtit. Të arrestuarit kanë mohuar akuzat teksa janë shprehur se nuk e njihnin viktimën".

Të prangosurit janë Esli Levendi 21 vjeç, lindur në Athinë dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos, Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos. Ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Ata akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje. Policia dhe Prokuroria kanë dyshime se vrasja është porositur nga persona të tjerë.

Mësohet se identifikimi i tyre është bërë përmes këqyrjes së kamerave të sigurisë në vendin ku ndodhi vrasja. Rezulton se të dyshuarit kanë qëlluar nga mjeti Benz që tashmë është sekuestruar. Gjatë aksioni të policisë së Tiranës u sekuestruan një pistoletë TT e disa fishekë, një sasi e vogël kanabisi, 2470 Euro e Lekë shqiptare, 13 telefona, si dhe dy mjete të tjera luksoze.

Policia ende nuk ka një pistë hetimi për të shkaqet e kësaj ngjarje. Jurgen Kurti u ekzekutua mbrëmjen e 18 Marsit poshtë banesës së tij. Për këtë vrasje është shpallur në kërkim policor Dervis Arapi, djali i tregtarit Agim Arapi, që mbeti i vrarë gjatë një përleshje me sende të forta, në të cilën u përfshi dhe Jurgen Kurti. Për këtë krim u dënua vëllai i vjehrrit të 26-vjeçarit. Ndërkohë që bashkëshortja e të ndjerit ka mohuar se familja e saj ka dorë në vrasjen e Kurtit.

Tv Klan