Ekzekutimi i Nardit të Bujtinave/ I arrestuari: Ia dhashë makinën, s'e dija se do të bënte vrasje

2019-05-22 1

SHKODER-24 orë pas arrestimit, tre të arrestuarit e akuzuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e Ferdinand Polisë kanë dhënë dëshminë para grupit hetimor. Dy vëllezërit Gilbert Toma 26-vjeç e Kleandro Toma 29-vjeç dhe Alfred Martini 20-vjeç kanë mohuar lidhjen me autorin e vrasjes. Report Tv mëson se ata janë shprehur se nuk kanë lidhje me vrasjen dhe hedhin poshtë cdo akuze për bashkëpunim të ngritur ndaj tyre.

Alfred Martini ka pranuar se i ka dhënë makinën e tij autorit të vrasjes me inicialet K.S ditën e ngjarjen, por thotë se nuk e dinte se kishte planifikuar vrasjen. "Makinën më datë 20 mars në mëngjes ja kam dhënë shtetasit K.S. por nuk e dija që ai kishte planifikuar vrasjen" tha ai. Makina tip Audi u gjet e braktisur pas vrasjes.

Policia i akuzon se tre të arrestuarit ndihmuan autorin e vrasjes, K. S. 27-vjeç, që ndodhet në kërkim. Të arrestuarit, sipas policisë i siguruan armët dhe makinën dhe e kanë strehuar pas vrasjes autorin. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumente të ndryshme.

Polia u ekzekutua me breshëri para një jave në Shkodër. Vëllai i Nard Polisë, biznesmeni që mbeti i vrarë nga një atentat në Shkodër, është shprehur se nuk njeh asnjë nga të arrestuarit e ndaluar nga policia lidhur me vrasjen e të vëllait.