Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako ka qenë mjaft i ashpër me drejtuesit vendorë në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Ai është shprehur se prej datës 3 mars, janë regjistruar 69 vatra zjarri duke e bërë situatën të pazakontë, ndërsa "autoritetet vendore mjaftohen vetëm me konstatimin e problemit apo kërkesat për ndërhyrje nga ajri.
Autoritetet vendore heshtin, kur bëhet fjalë për marrjen e masave parandaluese për raste të tilla apo për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësive të shkaktarëve të zjarrit. Për të gjithë ata drejtues vendorë të cilët bëjnë veshin shurdh ju rikujtoj ligjin" deklaroi ai.
Sot u regjistrua një tjetër vatër zjarri në Lushnje në luginën e përroit të Kasharajt. Zjarri ka djegur bimësi dhe plantacione me drufrutore. Zjarri rrezikon edhe një banesë, ndërsa vijon puna nga zjarrfikësit për të shuar vatrën.
Deklarata e plotë e Haki Çakos
Ministria e Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile po ndjekin me shqetësim situatën e pazakontë të ditëve të fundit. Dhjetëra vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të shumta, në disa njësi administrative në thuajse të gjitha prefekturat. Prej datës 3 Mars e deri më sot ,janë konstatuar 69 vatra zjarri, të cilat kanë djegur 167 hektarë. Për 22 ditë janë djegur sipërfaqe me kullota, pemëtari dhe pyje, të konsideruara si zona të mbrojtura duke sjellë pasoja shumë të mëdha si në ekonomi ashtu edhe në mjedis. Sipas analizës së EC kjo situatë është e qëllimshme. Të gjitha vatrat e zjarrit janë ndezur nga dora e njeriut.