Kontrata e lobimit në SHBA, Basha: Nuk kemi bërë asnjë shkelje ligjore

2019-04-11 0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është paraqitur në prokurorinë e Tiranës sot në orën 09:15 për të dhënë dëshminë e tij lidhur me kontratat e lobimit në SHBA. E ndërsa ditën e enjte refuzoi që të ngjiste shkallët e prokurorisë së Tiranës duke akuzuar përmes një letre se arsyet e fletë thirrjes ishin politike, sot Basha ka ndryshuar mendje duke vendosur që të shkojë për t'u përgjigjur para prokurorit të dosjes hetimore Gjergji Tako. Por përse Lulzim Basha ndryshoi qëndrim brenda katër ditëve? Partia Demokratike sqaron se pas letrës që i dërgoi prokurorisë ditën e enjten, nga organi i akuzës erdhi një tjetër fletë-thirrje që kërkonte dëshminë e Lulzim Bashës në cilesinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Rreth 40 minuta pas Bashës, në prokurori ka shkuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ndërsa pritet për t'u parë nëse do të shkojnë Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Lulzim Basha dëshmoi në prokurorinë e Tiranës për rreth një orë, ndërsa në dalje deklaroi për mediat se PD-ja dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj.  'Jemi thirrur si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e hetimit. Hetimi i hapur prej një viti bëhet mbi bazën e plotësimit të formularëve në KQZ. Cështja që po hetohet me kërkesë të PD-së është nëse këto janë mbushur apo jo si duhet dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet nga qeveria. Ka një vit e gjysmë ky hetim dhe 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet dhe që vërtetojnë që asnjë drejtues i PD-së nuk ka shkelur asnjë ligj, as në Shqipëri, as në SHBA apo Britani. I kam kërkuar prokurorisë ti bëj publike përgjigjet e ardhura. PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj" deklaroi ai.