Dy persona u vunë në pranga nga Policia për grabitjen e një banese në fshatin Greshicë të Mallakastrës. Përparim Merdani, në një rrëfim për Report Tv thotë se është kërcënuar nga grabitësit që hynë në banesë të maskuar. Merdani thotë se autorët kishin një shkop gome dhe të pajisur me thika, ndërkohë që kishin edhe kriketë për hapjen e derës.
Ngjarja ndodhi më 22 mars, ndërsa policia mundi të vë sot në pranga dy prej autorëve dhe të shpallë në kërkim një bashkëpunëtor tjetër. Ai thotë se familjarët po shihnin telenovela kur agresorët kanë hyrë brenda në banesë.
"Vajtën tek dhoma e mbyllur, kërkuan çelësin dhe ja dhamë. Ishin 1 milionë e 700 mijë lekë.Shqyen derën dhe morën paratë. Nuk i njoha se ishin me maska, tre vetë. Kishin një shkop gome dhe kriketë të madhe që hap makinat, kishin dhe tre thika në dorë", thotë kryefamiljari Përparim Merdani.
Tre autorët i kanë kërcënuar dhe dhunuar familjarët ku morën një sasi prej 1 milionë e 700 mijë lekë të vjetra.