Report TV - Ja si 8 gjyqtarët e emëruar nga PD bllokuan Gjykatën Kushtetues

2019-04-04 0

Në retorikën e opozitës po dëgjohet të përsëritet vazhdimisht këto javët e protestës se Edi Rama dhe qeveria e tij kanë shkatërruar institucionet kryesore të vendit duke filluar nga Gjykata Kushtetuese.

Në fakt Shqipëria është nga të paktat vende të botës demokratike në të cilën që nga vera e vitit 2018 nuk funksionon Gjykata Kushtuese. Përse ndodhi kjo? Dhe përgjegjësia e kujt është?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: Gjykata Kushtetuese nuk funksionon sepse shumica e gjyqtarëve të saj, të gjithë të emëruar nga PD (me mbështetjen e LSI) midis viteve 2007-2013, janë shkarkuar nga Komisioni i Vetingut sepse nuk justifikonin dot pasuritë e tyre, ose pasi kanë dhënë dorëheqjen pikërisht për të shmangur Vetingun. Dy prej tyre e kishin mbaruar mandatin, por sipas ligjit mund të kishin qëndruar në detyrë derisa të zëvendësoheshin.

Përpara se të humbte zgjedhjet në qershor 2013, Sali Berisha, në bashkëpunim më parë me Presidentin Bamir Topi dhe pastaj me Presidentin Bujar Nishani, mori kontrollonin e të gjithë aparatit të Drejtësisë, duke emëruar krerët e Prokurorisë, të Gjykatave, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë këta juristë të lidhur me familjen e tij ose me partinë e tij. Në përpjekje për të ruajtur këtë pushtet, PD u përpoq të bllokonte Vetingun (një procedurë kyçe e imponuar nga SHBA dhe BE në kuadër të Reformës së Drejtësisë), duke bërë rekurs në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata në një moment të parë e bllokoi Vetingun, por pasi u konsultua me Komisionin e Venecias, në dhjetor 2016, u detyrua t?i njohë atij legjitimitetin. Dhe pikërisht Vetingu në pak muaj, e asgjësoi (ndërmjet të tjerash), edhe Gjykatën Kushtetuese.