Tronditet Elbasani. Vritet me armë zjarri avokati i fisit Çapja, Ravik Gurra. Ai është ekzekutuar me armë zjarri në qendër të qytetit të Elbasanit në një lokal. 50-vjeçari ishte ulur në ambientet e jashtme të lokalit, kur një person është afruar duke e qëlluar me armë zjarri pistoletë silenciator tre herë, ndërsa më pas i ndihmuar nga një tjetër janë larguar me shpejtësi.
Gurra ka humbur jetën në vend nga të shtënat, pavarësisht ndihmës së parë nga personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:35 minuta rreth 40 metra larg kalasë në qendër të qytetit. Report Tv siguron pamjet nga lokali ku është ekzekutuar avokati, teksa trupi i tij është i shtrirë poshtë tavolinës.
Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të shkuar në gjurmët e autorëve. Ravik Gurra është një avokat i njohur, pasi ishte mbrojtës në cështjet ligjore të fisit Çapja dhe avokat i dytë në dosjen e Emiljano Shullazit.
Policia po heton në pistën e vrasjes për shkak të detyrës, por edhe hasmërinë mes grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit. Përplasja mes grupeve dhe vrasja e avokatit duket se është një mesazh mes rivalëve se mund të lënë edhe pa mbrojtës ligjor. Pak minuta pas vrasjes në periferi të qytetit është gjetur e djegur një makinë tip Benz me targa AA 934 HU, e cila dyshohet se u përdor nga autorët për vrasjen. Ndërkohë që ekspertë të policisë së shtetit, drejtori Ardi Veliu dhe RENEA kanë zbarkuar në Elbasan.