I thirrur në Prokurori këtë të enjte, për t'u njohur me aktet e hetimit për çështjen e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha, nuk është paraqitur në organin e akuzës. Me anë të një letre, ai i shpjegon drejtueses së kësaj Prokurorie Elisabeta Imeraj dhe prokurorit të çështjes arsyet e mosparaqitjes së tij. Lulzim Basha thotë në përgjigjen e tij drejtuar Prokurorisë se është i habitur me kërkesën, duke sqaruar se thirrja e tij është e pabazuar në ligj dhe e pambështetur në asnjë standard profesional.
"As unë, asnjë drejtues tjetër i Partisë Demokratike dhe as Partia Demokratike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, prandaj as unë dhe as një drejtues tjetër i Partisë Demokratike nuk ka nevojë dhe ju nuk keni asnjë detyrim ta na informoni për asnjë të dhënë që mund të jeni duke mbledhur në kuadër të verifikimeve tuaja".
Numri një i demokratëve rendit disa fakte, të cilat sipas tij, tregojnë që Prokuroria po përdoret politikisht në këtë rast.
"Fakti që një ftesë e tillë vjen gjashtë muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike".
Në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një pjesë e letër-porosive nga SHBA për këtë hetim. Në informacionin e përkthyer tashmë ka dyshime mbi origjinën e 600 mijë dollarëve, të cilat janë përdorur për lobimin e PD në Amerikë, Pranverën e 2017-s. Këto para vijnë na kompania Biniata Trade, e cila është në pronësi të dy shtetasve rusë.
Tv Klan