Report TV - Vjollca Arapi: Nuk kemi lidhje me vrasjen e Jurgen Kurtit

2019-03-20 0

Dy ditë pas ekzekutimit në Tiranë të 26-vjeçarit Jurgen Kurti, policia është ende pa emra të autorëve që vranë të riun në hyrje të pallatit në zonën e stadiumit "Selman Stermasi", teska shkonte për në banesë ku jetonte me të ëmën. Policia është duke kryer hetime intensive për të zbardhur ngjarjen, dhe pistat janë të shumta për shkak të përfshirjeve në disa ngjarje kriminale të Jurgen Kurtit. Policia e Tiranës ka kërkuar të marrë në pyetje, Ervis Arapin, djalin e Agim Arapit, të vrarë në prill të 2017-ës në Durrës, në një ngjarje të dhunshme ku ishte i përfshirë edhe 26-vjeçari Jurgen Kurti. Fletë-thirrja për dëshmi i është dorëzuar nënës së tij, Vjollca Arapi e cila jeton në Durrës. Në një prononcim për Shqiptarja.com ajo thotë se djali i saj nuk ka lidhje me krimin e bërë, pasi ai prej muajsh jeton në Itali.

Burime për Shqiptarja.com thonë se prej disa muajsh Ervis Arapi ndodhet në Itali dhe se nga verifikimet në sistemin TIMS nga muaji janar e deri më tani nuk rezulton të jetë futur në Shqipëri, të paktën në rrugë të ligjshme. Burime nga policia thanë se ende ska prova që e lidhin direkt me vrasjen dhe se ai është thirrur për tu pyetur.

Në një intervistë dhënë dje për Shqiptarja.com, bashkëshortja e tregtarit të ndjerë të vrarë në Durrës, Vjollca Arapi tha se nuk ka dashur kurrë hakmarrje dhe vetëgjyqësi për vrasjen e burrit të saj, por ka pritur që drejtësia të vihej në vend. Për vrasjen e bashkëshortit të saj u arrestua vëllai i vjehrrit të Jurgen Kurtit, Kostandin Ekonomi, i cili u dënua me 3 vjet e 4 muaj pasi vrasja u vlerësua si nga pakujdesia. Tregtari u vra në biznesin e tij në Durrës, pasi u dhunua nga tre persona mes të cilëve edhe Jurgen Kurti i cili doli i larë nga kjo histori.