Fondet për lobimin në SHBA, prokuroria thërret Bashën dhe Ristanin për të dëshmuar

2019-03-19 0

Fill pas mbërritjes nga SHBA dhe Skocia të dy letërporosive kryedemokrati Lulzim Basha është thirrur këtë javë në prokurorinë e Tiranës, për të dhënë sqarime mbi lobimin në Amerikë. Pritet që Basha së bashku me Arben Ristanin të paraqitet në prokurorinë e Tiranës, ku do japin shpjegime ditën e enjte. Lidhur me këtë çështje në prokurorinë e Tiranës janë pyetur vitin e kaluar disa funksionarë të Partisë Demokratike, si Enno Bozdo dhe Arben Ristani, të cilët menaxhojnë financat e PD.

Kontratat u raportuan më 14 nëntor në Departamentin amerikan të Drejtësisë nga kompania ?Stonington Strategies?, ku deklaron se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga ?Biniatta Trade LP?-një kompani guackë e regjistruar në Skoci në vlerën e 150 mijë USD. Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me ?Stonington Strategies? është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars 2017, ndërsa kontrata me ?Biniatta Trade LP? është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor 2017.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton në raportin financiar që Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për fushatën zgjedhore 2017, ç?ka ngre pikëpyetje serioze për origjinën e parave. Raporti i publikuar në faqen zyrtare të KQZ, tregon se PD pasqyron vetëm pagesat për dy kontrata lobimi me kompaninë tjetër të lobimit ?Barnes and Thornburg LLP? në vlerën e 12 585 000 lekëve.