Report TV - Pranon mandatin, ja fjalimi i kandidates së LSI në fushatën e 2017

2019-03-19 0

Ditën e sotme ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qëndror Zgjedhor Enada Koçiraj, një kandidate për deputete në radhët e LSI-së. Ajo është kandidatja e dhjetë në radhët e LSI-së që pranon mandatin e deputetes. Ajo është kryetare e LRI-së në Vlorë.

Koçiraj zëvëndëson ish-deputetin e LSI-së Shezai Rrokaj dhe do të marrë mandatin ditën e nesërme bashkë me Ralf Gjonin dhe Nimet Musain.

Me dorëzimin e formularit të vetëdeklarimit, hidhet hapi kryesor i pranimit të mandatit që hoqën dorë deputetët e partisë së tij. Pas verifikimit të formularit, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, KQZ do t'i japë mandatin e deputetit për të bërë më tej betimin në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Deri më tani, bashkë me Enada Koçirajn, në Kuvendin e Shqipërisë opozita e re parlamentare pas dorëheqjes së PD-së, LSI-së dhe aleatëve të djathtë, shkon në 17 deputetë.

11 kandidatë janë betuar në dy seancat e shkuara, tre deputetë, Mylsim Murrizi, Lefter Koka dhe Rudina Hajdari nuk hoqën dorë nga mandati, ndërsa më herët kanë dorëzuar formularin në KQZ edhe Ralf Gjoni kandidati i LSI-së në qarkun e Tiranës dhe Nimet Musai kandidati tjetër i LSI pë qarkun Fier.

KQZ do të thërrasë të gjithë kandidatët në listat zgjedhore të PD dhe LSI në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, deri në shterimin e tyre. Nga momenti i njoftimit nga KQZ, kandidatët kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit, nëse duan që të pranojnë mandatin. Në të kundërt, ata skualifikohen dhe thërritet i radhës.