Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka në një intervistë për mediat ka komentuar sot atmosferën në Kombëtare për dy ndeshjet e radhës që janë hapëse për kualifikueset e Europianit. Numri 1 i FSHF-së gjithashtu foli edhe për përjashtimin e Strakoshës nga Panucci.
?Atmosfera brenda ekipit është e mirë. Ekipi në këto momente pothuajse është 100% gati. Futbollistët kanë arritur në hotel. Sot bëjnë stërvitjen e parë. Brenda nesh çdo gjë po përgatitet mirë. Gjithsesi atmosferën e një ndeshje kualifikuese kaq të rëndësishme, nuk është se po e ndjej. Nuk e di pse.
Në ambientin në përgjithësi nuk ka shumë interes. Ekipi patjetër që është i rëndësishëm, do mobilizohet maksimalisht. Ndeshja është shumë e rëndësishme, por jemi të rëndësishëm edhe ne që duhet ta mbështesim ekipin. Me njerëz në stadium, me media, sepse kjo është një gjë e rëndësishme që na bën të gjithëve krenar. Ti fillojmë mbarë eliminatoret e Europianit."
Largimi i Strakoshës?
"Më vjen keq për portierin e Kombëtares, Strakosha. Është një nga lojtarët më të rëndësishëm. Një nga më kualitativët të skuadrës, por edhe disiplina është lojtar akoma më i rëndësishëm për skuadrën. Nga kontakti që kam pasur me trajnerin, portieri nuk ka pasur arsye objektive për të munguar.
Përderi sa gjithë shokët vijnë në orar, duhet të respektosh orarin. Është një humbje për skuadrën teknikisht, si dhe një fitore për disiplinën. Si dhe një mësim për lojtarin, që ekipi Kombëtar është mbi gjithçka."