Mbi 30 mijë persona i kanë shpëtuar vuajtjes së dënimit në burg duke iu vendosur një dënim alternativ në shërbimin e provës. Rreth 200 persona në vit janë detyruar të kryejnë punë në interes publik.
Vuajtja e dënimeve jo në qeli nisi në vitin 2009 kur u aplikua për herë të parë edhe shlyerja e penaliteteve me punë në komunitet.
"Për t'u aplikuar neni 59 i Kodit Penal që parashikon vënien në provë dhe pezullimin e vendimit me burg, vepra penale duhet të jetë më poshtë se 5 vjet dënimi. Në shërbim prove kalojnë drejtimi i parregullt i automjeteve, që mund të jetë drejtimi nën efektin e alkoolit, ndërtim pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, vjedhje e energjisë elektrike, vjedhje me dhunë. Kemi 25 persona të dënuar me një punë në interes publik që në total janë 176 persona", shprehet Almeida Ametbejasi, specialiste në drejtorinë e shërbimit të provës.
Por pas 10 vjetësh duket se ka ardhur koha që ligji për shërbimin e proves të ndryshojë. Ministria e Drejtësisë ka vendosur të ndryshojë ligjin e shërbimit të provës për riorganizimin dhe riintegrimin e personave që vuajnë dënimët alternative.
Në draftin që është hedhur për diskutim parashikohet reformim i këtij institucioni. Ligji i ri synon riintegrimin e personit të mbikëqyrur në jetën shoqërore. Shifrat të cilat i përkasin periushës 2009-2018 tregojnë se alternativa e dhënë më shpesh nga gjykata është pezullimi i dënimit me burgim dhe vënia në periudhë prove në 81% të rasteve, e ndjekur nga puna për interes publik në 14 % të raste. Në shifra më të ulëta janë lirimi me kusht, qëndrimi në shtëpi dhe gjysmëliria.