Nisin hetime në gjendje të lirë ndaj Gazmend Bardhit, sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike, për protestën e dhunshme gjatë ditës së djeshme të opozitës. Në total, bashkë me Bardhin, janë proceduar për aktet e dhunës në protestën e 16 marsit, 33 persona. 14 persona të tjerë kanë rënë në pranga, ndërsa shtatë janë shpallur në kërkim nga uniformat blu.
Policia e Tiranës, thotë se është proceduar penalisht Bardhi, si organizator i tubimit që përshkallëzoi në dhunë dje para Kuvendit të Shqipërisë me protestuesit që goditën me gurë policinë dhe tentuan të mësyjnë në godinën bosh të Parlamentit. Ishte pikërisht zoti Bardhi që kërkoi leje në Policinë e Tiranës për mbajtjen e protestës pa afat të caktuar, e cila njëjtë si edhe në tubimet e tjera, ju refuzua për disa çështje, pasi nuk specifikon kohëzgjatjen dhe perimetrin e saktë se ku do të mbahet.
Gjatë ditës së djeshme, krejt papritur nga tre marshime paqësore rreth e qar kryeministrisë, në shenjë simbolike të rrethimit të institucionit, protestuesit udhëhequr nga liderët politikë të opozitës, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e aleatët e djathtë u zhvendosën tek Kuvendi i Shqipërisë ku e gjitha degjeneroi në dhunë. Aty, policia i bëri vazhdimisht thirrje me megafon Gazmend Bardhit, si organizator të kësaj proteste, që t'i kërkonte manfestuesve të ruanin qetësinë, veçanërisht kur bllokuan tek pedonalja autobotin me ujë që po shkonte drejt Parlamentit për të shpërndarë turmën e dhunshme.
Policia nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës ka arrestuar 14 persona, për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim më 16 mars.