TV Ora - Lirohet edhe djali i Luan Baçit, 25 të proceduar për protestën e opozitës

2019-03-16 1

#tvora
Pas mbylljes së protestës, e cila zgjati për rreth 4 orë, policia e shtetit ka nisur shoqërimet e para. 25 persona janë shoqëruar dhe ndaj tyre ka nisur procedim penal. Mes të shoqëruarve ishin edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të qarkut të Fierit, Luan Baçi dhe djali i tij, të cilët u lanë më pas të lirë. Shoqërimin e kreut të PD-së Fier, PD e quan hakmarrje të Edi Ramës ndaj Fierit. Zhvendosja e protestës para parlamentit nga policia e shtetit është konsideruar e paligjshme, pasi sipas tyre nuk është lajmëruar më parë.

Partia Demokratike publikoi pamjet e momentit kur është shoqëruar nga policia kryetari i PD-së së Fierit Luan Baçi dhe djali i tij. Partia Demokratike e quan "hakmarrja të Edi Ramës".

Gazetarja e Rtv Ora, Keti Banushi, raportoi se janë proceduar 25 persona për protestën, shumica e tyre nga rrethet.

Në orët e pasdites u la i lirë Luan Baçi, duke u hetuar në gjendje të lirë.

Në orët e mbrëmjes policia liroi edhe disa prej të shoqëruarve në moshë të mitur, mes tyre dhe djalin e kreut të PD-së Fier, Bruno Baçi. Ai do të ndiqet në gjendje të lirë.

Deri tani janë lëshuar 6 fletë arreste. Gjatë gjithë natës policia do të vijojë marrjen në pyetje të personave të ndaluar por edhe verifikimin e pamjeve filmike për shoqërimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme.

Ndërkohë policia e shtetit informon se menjëherë pas mbylljes së tubimit, "në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë," u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

"Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune."

Nga ana e saj policia e shtetit informon se tubimi ishte i paligjshëm.

"Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin ?Dëshmorët e Kombit?, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën" thuhet në një deklaratë të policisë së shtetit.

Gjatë tubimit, sipas policisë janë lënduar 3 punonjës policie, ndërsa edhe mes protestuesve pati të lënduar. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ndodhen dhe punonjës policie të rretheve të cilët po ndihmojnë për identifikimin e protestuesve që dyshohet se kanë shkaktuar dhunë ndaj uniformave blu.

Pas analizimit të pamjeve filmike në kamerat e vendosura tek kryeministria, por dhe para parlamentit, pritet të ketë dhe shoqërime të tjera në radhët e protestuesve.
...

Free Traffic Exchange