Shtyllat me graso, agjentë, dron, makina uji dhe autoblinda/ 1600 policë në gatishmëri për protestën

2019-03-15 1

Kamera sigurie, dron, agjentë civilë, 1600 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit si dhe garda e republikës do të jenë të angazhuara si plan i masave për të monitoruar dhe ndërhyrë në cdo moment nëse protesta e opozitës do të bëhet e dhunshme nesër para Kryeministrisë.

Të pyetur nga ReportTv policia e Tiranës konfirmon se plani i masave do të jetë gatishmëri e të gjithë komisariateve nisur prej mbrëmjes së të premtes e deri në përfundim të protestës e cila nuk ka një orar përfundimi.

Nga oborri i Kryeministrisë është hequr kërpudha e dëmtuar nga protesta e 16 shkurtit dhe është përforcuar rrethimi i ndriçuesit tek hyrja selisë së qeverisë. Ndërsa për të shmangur ngjitjen e protestuesve sic ndodhi më 16 shkurt kur u këputën megafonët e policisë, shtyllat ku janë vendosur kamerat e sigurisë janë lyer me graso.

Ndërkohë pritet që pjesë e masave të policisë të jetë bllokimi i qarkullimit në rrugën 'Ismail Qemali', 'Ibrahim Rugova' lidhje me bulevardin, ura e Lanës nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca aty ku do të ndalohet dhe parkimi i mjeteve.

d.ba.