DASH: Mosndeshkimi dhe korrupsioni, problem ne Shqiperi

2019-03-15 0

Pandëshkueshmëria dhe korrupsioni mbeten problemet kryesore për Shqipërinë. Është ky vlerësimi që bën Departamenti Amerikan i Shtetit për vendin tonë, në raportin mbi të drejtat e njeriut.

?Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kanë kryer shkelje ka qenë sporadik dhe jo i vazhdueshëm. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh kanë arritur ta shmangin ndjekjen penale. Ligji në Shqipëri parashikon ndëshkimin e zyrtarëve publikë të korruptuar, por qeveria nuk e zbaton ligjin në mënyrë të efektshme, dhe zyrtarët shpeshherë ndërmarrin praktika të korruptuara pa u ndëshkuar. Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë?.

Nga ana tjetër, DASH vlerëson se autoritetet shqiptare janë kundërpërgjigur duke ndërmarrë Vetting-un e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Si fryt i procesit të monitoruar nga ekspertët amerikanë dhe europianë, janë shkarkuar dhjetëra gjyqtarë e prokurorë e të tjerë kanë dhënë dorëheqjen, thotë raporti. DASH vlerëson edhe platformën online të denoncimit, stopkorrupsionit.al, ndërsa nënvizon hetimin për një ish-ministër të brendshëm, por pa përmendur emrin e ish-ministrit Sajmir Tahiri.

?Qeveria zbatoi një proces të monitoruar ndërkombëtarisht për Vetting-un e gjyqtarëve dhe për të shkarkuar ata me pasuri të pashpjegueshme ose me  lidhje me krimin e organizuar. Që nga Gushti, 44 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët kaluan në testim u përjashtuan. Nga janari në qershor të vitit të kaluar, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 83 raste të reja hetimesh për korrupsion. Gjatë kësaj periudhe 29 persona janë dënuar për akuzën e korrupsionit dhe proceset gjyqësore nisën për 28 të tjerë. Përgjatë gushtit të vitit të kaluar, 19.295 ankesa i janë dërguar autoriteteve përmes portalit stopkorrupsionit.al?.

Korrupsioni brenda policisë mbetet gjithashtu një problem, vijon Departamenti Amerikan i Shtetit, që thekson se më shumë se 3800 ankesa janë regjistruar për korrupsion në polici, për abuzim me detyrën. Në raport po ashtu përmenden edhe zgjedhjet e vitit 2017, ku citohen përfundimet e  OSBE-së  se zgjedhjet respektonin liritë themelore, por u dëmtuan nga akuzat për blerjen e votave dhe presioneve mbi votuesit.

Tv Klan