Report TV - Ligji i ri për burgjet, si do të përcaktohen të dënuarit e rrezikshëm për t'u izoluar

2019-03-15 2

Ministria e Drejtësisë ka propozuar një tjetër paketë me ndryshime në ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve. Ndryshimet, të cilat pritet të miratohen fillimisht nga Këshilli i Ministrave dhe më pas nga Parlamenti, parashikojnë forcimin e sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë, përmes sanksioneve të forta për të dënuarit dhe të burgosurit me rrezikshmëri të lartë, për anëtarë të organizatave terroriste, të bandave kriminale ose krimit të organizuar, që kanë rrezik të arratisen dhe që cenojnë sigurinë kombëtare. Ndryshimet e reja do të mundësojnë zbatimin e ndryshimeve të miratuara në fund të vitit 2018, për izolimin e mëtejshëm të 22 kategorive të të dënuarave dhe të paraburgosurve, të dënuar apo të dyshuar për kryerjen e 22 veprave të rënda penale. Bëhet fjalë për aplikimin e regjimit të posaçëm i izolimit ?41-bis?, në kuadër të masave për goditjen e veprimit dhe të depërtimit të krimit në burgje. Fillimisht do të izolohen rreptësisht 270 të dënuar apo persona nën hetim në paraburgim, ku do të kenë zero kontakte me botën e jashtme.

Ndryshimet e reja parashikojnë ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë. Ky komision përcakton rrezikshmërinë dhe si rrjedhojë i propozon Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nivelin e sigurisë që do të mbahet një i burgosur. Kur gjykata nuk është shprehur në vendim, Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë të dënuarve, i propozon Drejtorit të Përgjithshëm ndryshimin e klasifikimit të sigurisë të dënuarit, mbështetur në raportin e vlerësimit të riskut të sigurisë.