Report TV - Ndikimi rus në Shqipëri, Rama: Nuk është sekret, dihet tashmë

2019-03-15 0

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me çfarë po qarkullon në media pas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, që Rusia ka rritur ndikim e saj në Shqipëri.

Shefi i qeverisë u përgjigj se kjo dihet tashmë dhe nuk është një gjë sekrete. Kreu i ekzekutivit tha se Rusia nuk i do vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Shqipëria ka axhendën e saj kombëtare.

"Rusia nuk është vend tifoz i BE-së i zgjerimit të BE-së dhe natyrshëm s'mund të ketë tifozëllik për ecurinë evropiane për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo nuk është sekret, kjo dihet, ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare, kryefjalë e së cilës është të bashkohemi në familjen evropiane. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i Evropës, i BE-së, i integrimit të plotë të Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor, pa diskutim që sheh një oportunitet", tha kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me Zoran Zaev.